Teksa prej 2 muajsh shqiptarët i kërkojnë dorëheqjen duke mbushur rrugët e Bulevardin para Kryeministrisë çdo natë, Edi Rama ka qenë i bindur se kjo gjë nuk do të ndodhë, ndërsa shtoi se kush do të jetë në qeveri, e vendos populli me votë.

Edi Rama: Këtu vjen një pyetje që me siguri mbase se bën kush në këtë sallë, por e bëjnë njerëzit që na ndjekin; pse doni që të qëndroni ju më gjatë?! Po nuk e kuptoni që të thoni është koha boll dhe t’ia lini vendin të tjerëve. Por ta shprehin copë si dëshirë, zëre se po i lexoj në komentet që bëjnë. “Ishalla vdisni një orë me parë. Çohuni aty e shkoni nëpër shtëpia, s’jeni ju vetëm këtu”. Pas 13 vitesh në qeverisje; pse doni të qëndroni akoma, është pyetja më legjitime. Pse nuk largohemi ne sot? Dhe pse duhet ta meritojmë vazhdimësinë nesër…

Së pari, duhet thënë, që kjo është demokracia dhe një parti politike as e trashëgon dot timonin e pushtetit, as e ka pronë me testament por aq ka të drejtë ta lëshojë rrugës pse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit… PS ushtron pushtetin sipas Kushtetutës sa kohë populli ia ka dhënë votat dhe sa kohë ka votat në Kuvend. Ata thonë se flasin në emër të popullit, madje pretendojnë se janë populli. Ne jemi populli, dëgjoni popullin, ka dalë populli… Por që të jemi të qartë me ligj dhe zakon as ata dhe as ne këtu nuk jemi populli, jemi pjesë e tij dhe flasim në emër të popullit vetëm nëse ai na jep këtë mandat sipas Kushtetutës. Përndryshe, ne flasim në emrin tonë dh të kujtdo që na ka mandatuar të përfaqësojmë ndonjë gjë, por jo në emër të popullit… As unë që e kam me vulë dhe firmë mandatin për të përfaqësuar Shqipërinë në emër të popullit nuk e kam tagrin të them në emër të popullit atë që mund ta thotë vetëm populli se kush duhet të jetë në qeveri dhe kush në opozitë. Këtë populli e thotë me votë dhe kur zgjedh të mandatuarit e tij.

Unë p.sh e kam tagrin të vendos për veten time t’i dëgjoj apo jo dëshirat dhe urdhrat e një pjese që këndon poshtë ztyrës time Rama jepe dorëheqjen… Ajo këngë më pëlqen dhe më energjizon aq shumë sa më gënjen mendja të bëj një tjetër këngë me të… Por në çdo çast dhe rrethanë, përtej këngës, të largohesh nga detyra që të ka ngarkuar shumica vetëm sepse një pakicë bërtet në kor, nuk është as tipar udhëheqës, as përgjegjshmëri institucionale dhe as modesti intelektuale, është vetëm braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe.

Të largohesh pikërisht sot nga udhëheqja e vendit, duke lënë në rrugë misionin historik që fati e vuri mbi supet tona, do të ishte shpërfillje e pafalshme e një porosie shumë të madhe kombëtare. Kështu që, kush do le të këndojë, kur të dojë le të pushojë, po i erdhi sërish oreksi të rifillojë, misioni ynë do të vazhdojë deri kur të mbarojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e Europës së bashkuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb