Kundërshtimet ndaj draftit të Reformës Territoriale po shtohen në disa bashki të vendit. Pas reagimeve në Poliçan dhe thirrjeve për mobilizim në Maliq, edhe qytetarët e Dimalit kanë njoftuar zhvillimin e një proteste kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë së tyre.
Përmes një njoftimi publik, organizatorët u kanë bërë thirrje banorëve të marrin pjesë në tubimin që do të mbahet më 31 korrik, në orën 18:00, në pedonalen e qytetit.
Sipas tyre, protesta synon të mbrojë statusin e Bashkisë Dimal dhe të shprehë kundërshtimin ndaj çdo ndryshimi që prek përfaqësimin dhe identitetin e komunitetit.
“Prania e secilit prej jush është një zë në mbrojtje të Bashkisë Dimal, identitetit tonë, përfaqësimit lokal dhe të ardhmes së komunitetit tonë. Le të jemi të bashkuar dhe ta shprehim në mënyrë qytetare qëndrimin tonë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Me moton “Bashkë për Dimalin! Zëri ynë, e ardhmja jonë!”, qytetarët u bëjnë apel banorëve të bashkohen në protestë, duke theksuar se synojnë të mbrojnë të ardhmen e bashkisë dhe interesat e komunitetit lokal.

