Katër alpinistë janë gjetur të pajetë në Pakistan, pasi një ortek goditi një grup prej 10 personash gjatë ekspeditës së tyre në malin Broad Peak. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për gjetjen e gjashtë alpinistëve të tjerë që rezultojnë ende të zhdukur.

Aksidenti ndodhi në një nga zonat më të vështira të Himalajeve pakistaneze, në malin Broad Peak, i cili ngrihet në 8 051 metra lartësi dhe renditet ndër majat më të rrezikshme për t’u ngjitur. Menjëherë pas rënies së ortekut, autoritetet nisën operacionet e shpëtimit, ku përveç ekipeve tokësore janë përfshirë edhe helikopterë të ushtrisë pakistaneze. Kërkimet po zhvillohen në kushte të vështira për shkak të terrenit ekstrem, motit dhe largësisë së zonës së aksidentit.

Mes personave të zhdukur ndodhet edhe alpinisti i njohur nepalez Nirmal Purja, 43 vjeç, i cili ka fituar famë ndërkombëtare pasi vendosi rekord për ngjitjen më të shpejtë të 14 majave më të larta në botë.

Në ekspeditë merrnin pjesë alpinistë nga Nepali, Pakistani, Omani, Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Ministria e Jashtme e Nepalit ka konfirmuar se gjashtë prej personave të zhdukur janë shtetas nepalezë. Ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet në terren, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë përfundimisht fatin e të gjithë anëtarëve të ekspeditës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: