Të paktën 34 persona, mes tyre 33 nxënës dhe një mësues, kanë humbur jetën pas shembjes së çatisë së një shkolle private në qytetin e Peshawarit, në Pakistan. Mbi 50 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa disa prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Ngjarja ndodhi gjatë orës së mësimit në shkollën “Al-Khair”. Të gjithë fëmijët që humbën jetën ose u plagosën ishin 13 vjeç ose më të vegjël. Pas shembjes, ekipet e shpëtimit dhe banorët u angazhuan për nxjerrjen e nxënësve dhe stafit nga rrënojat. Spitali Lady Reading shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e tragjedisë. Sipas shefit të policisë së Peshawarit, ndërtesa kishte probleme me projektimin strukturor dhe çatia ishte tepër e rëndë për strukturën mbajtëse. Pronari i shkollës është arrestuar në kuadër të hetimeve.
