Ish-burgu i Spacit në Mirditë u kthye të premten në një vend pelegrinazhi dhe kujtese. Pas dekadash, aty ku vuajti 12 vite burg gjatë regjimit komunist, u rikthye eminenca e tij Kardinal Ernest Troshani. 98 vjecari vizitoi fillimisht ambientet ku ishte mbajtur i burgosur dhe u ndal pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve
Më pas, Kardinali kremtoi Meshën e Shenjtë në oborrin e ish-burgut, në praninë e ish-të përndjekurve politikë, besimtarëve të shumtë, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, dhe politikës.
“Jeni bijtë e të madhit Zot, të duani njëri tjetrin, atdheun, me mbrojt të vërtetën. Falënderoj Zotin që na ka bashkuar, njerëzit që me admirim me kanë pritur”,-tha Kardinal Ernest Troshani.
Spaçi mbetet simbol i krimeve të diktaturës komuniste dhe i qëndresës së atyre që refuzuan të nënshtroheshin. Prania e Kardinalit Ernest Simoni, një prej dëshmitarëve më të fortë të persekutimit komunist, i jep kësaj meshe një peshë të veçantë morale dhe historike
“Emocion i veçante që ndjekim meshë nga Kardinali Ernest Simoni. Këto ndërtesa kanë përjetuar gjak, tmerr dhe në fakt për komunistët ata duan të mos ekzistojnë”- tha Albert Melyshi.
“Thirrja ime është për qeverinë shqiptare. Ky sit nuk duhet të shkatërrohet. Po u shkatërrua brezat e rinj do të thonë s’ka ndodhur gjë. Kjo do ishte fatkeqësia më e madhe, sepse ajo që harrohet, përsëritet”-tha Dom Gjergj Meta.
Në shenjë mirënjohjeje për jetën e tij të përkushtuar dhe dëshminë e besimit përballë persekutimit, Kardinalit 98-vjeçar iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike me emblemën e Spaçit. Në këtë ditë nuk mungoi as mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Leone XIV, i cili u lexua gjatë ceremonisë. Në mesazhin e tij, Papa e cilësoi Spaçin një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare, por edhe një vend ku besimi dhe shpresa triumfuan mbi padrejtësinë.
Kremtimi në ish-burgun e Spaçit u mbyll me lutje për viktimat e diktaturës dhe me një apel që historia e këtij vendi të mos harrohet kurrë.
