Nga Agron Gjekmarkaj

Rëndom syrit të mediave tona i shpëtoi një gjë me domethënie të madhe. Po kaq edhe shqisave vigjilente të shoqërisë në rrjetet sociale. Ditën e Pashkës në Vatikan ndodhi një ngjarje e shënuar në sheshin i cili mban emrin e Shën Pjetrit. Në krahun e Papa Françeskut gjatë gjithë kohës ishte kardinali ikonik shqiptar, Ernest Troshani.

Një gjest i tillë nuk ka ndodhur rastësisht e për me tepër nuk është një gjë dosido por një nder i madh për Kishën Katolike shqiptare dhe Kombin tonë. Historia e Kardinal Enest Simonit (Troshanit ) është thjeshtë madhështore e frymëzuese mes burgut dhe lirisë, mes kryqëzimit dhe ringjalljes, mes braktisjes dhe rikthimit për të udhëhequr grigjën që e priste. Martiret e Kishës Katolike shqiptare magjepsin këdo që ndeshet me historinë e tyre për forcën morale dhe qëndresën në emër të identitetit të shekujve që ata demonstruan kur një popull në shumë segmente të jetës së tij u thye.

Kësaj ndjesie nuk i shpëtoi as Papa Françesku në vizitën e tij mbresëlënëse në vitin 2014 ku Martiret e formulës “Atme e Fe” i rrinin mbi kokë teksa ecte ngadalë me makinën e tij në ditën e tyre të triumfit. Një tjetër e priti në Katedralen e Shën Palit, asokohe Dom Ernest Troshani i cili së bashku me murgeshën Tuci e tronditen dhe përlotën Papën që vinte nga Argjentina e diktaturës ushtarake. Asgjë e ngjashme nuk kishte ndodhur në vendet e qytetëruara , as një krahasim nuk ishte i denjë me çka u dëgjua atë ditë nga rrëfimi i tyre.

Papa Françesku i mori me vete për të mos harruar, Dom Ernesti u bë Kardinali i dytë shqiptar i cili edhe në raste të tjera është parë në krah të Atit të Shenjtë. Por prezenca e tij në një festë si ajo e Pashkëve në krah të Françeskut është një konsideratë e lartë për atë që Kardinal Simoni (Troshani ) përfaqëson , për historinë tragjike dhe ri ngritjen e Kishës Katolike por edhe për mbarë kombin tonë i cili tek Vatikani ka pasur një aleat jetik për ekzistencën e tij kulturore (gjuhën) , politike që nga Skënderbeu dhe deri në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919 por edhe më pas deri në aktualitet.

Në vendin tonë bëhen lajm edhe ngjarje që e fyejnë lajmin, marrin vëmendje banalitete që nuk do duhej, personazhe që duhet t’jua fshehësh fëmijëve dhe harrohen, nuk shihem, shembujt etik si ky, personalitete si Kardinal Troshani që mbajnë ndezur pishtarin dymijë vjeçar të asaj drite që na lidh me Perëndimin e më shumë se kaq shqiptarin aktual që përzgjidhet si shembull rrezatues për gjithë Botën.

Një anashkalim i tillë personalisht me shkakton keqardhje e dhimbje siç ndodh në çdo përvjetor të Nënë Terezës ku gazeta Evropiane e kanë në faqe të parë në ballinë, ndërsa tonat as në qoshe. Duam të shkojmë në Evropë për të blerë rroba, për të ngrënë më mirë, për të jetuar më mirë, duke harruar ata që ajo na njeh për vlera themelore. Paradoks i madh që nuk e zgjidhim neper kafet tona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: