Greqia vijon të përballet me një situatë kritike nga zjarret masive, ndërsa autoritetet kanë angazhuar një mobilizim të jashtëzakonshëm për të frenuar përhapjen e flakëve në disa rajone të vendit.
Rreth 500 zjarrfikës, roje pyjesh dhe vullnetarë, të mbështetur nga më shumë se 120 automjete zjarrfikëse, po luftojnë në vijat e para. Operacionet ajrore pritet të rifillojnë me zbardhjen e ditës. Në ndihmë të autoriteteve greke janë angazhuar edhe zjarrfikës nga Franca dhe Rumania, si dhe forca të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare Helenike, Policisë Helenike, Shërbimit Mjekësor të Emergjencës dhe pushtetit vendor.

Një nga zonat më të goditura është Viotia, ku zjarret kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pyje dhe banesa. Dy zjarrfikës kanë mbetur të plagosur gjatë operacioneve, ndërsa njëri prej tyre pësoi edhe një atak në zemër.

Sipas nënkryetarit të bashkisë Mandra-Eidyllia, më shumë se 100 shtëpi dyshohet se janë djegur ose kanë pësuar dëmtime nga flakët.

Situata mbetet e tensionuar edhe në Fokida, ku zjarri në zonën e Skaloma detyroi autoritetet të urdhëronin evakuimin e shtatë vendbanimeve përmes sistemit të emergjencës 112.
Ndërkohë, ka edhe sinjale inkurajuese nga disa fronte. Zjarri në Aegialia paraqitet nën kontroll më të mirë, ndërsa fronti në Rethymno është në tërheqje.

Zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës, Costas Tournas, deklaroi se mekanizmi shtetëror po operon “në kufijtë e kapaciteteve të tij”, duke e cilësuar natën e fundit si jashtëzakonisht të vështirë.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë Greqinë janë regjistruar 59 zjarre në zona agropylltare, nga të cilat 14 vazhdojnë të jenë aktive.

Autoritetet kanë ndërmarrë edhe masa ligjore ndaj personave përgjegjës për ndezjen e zjarreve. Deri më tani janë kryer 11 arrestime për shkaktimin e zjarreve në Argolida, Ilia, Serres, Atikë dhe Lesbos.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb