Protesta para Kryeministrisë, e cila ka hyrë në ditën e 65-të, është shoqëruar me thirrje të forta kundër qeverisë. Aktivistja Etleva Merko, gjatë fjalës së saj, akuzoi pushtetin për keqmenaxhim dhe korrupsion, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ajo u shpreh se, ndërsa vendi po përballet me zjarre dhe problematika të shumta, fondet publike janë shpërdoruar dhe drejtuesit e institucioneve ndodhen me pushime.
“Ndërkohë që Shqipëria po digjet, fondet nuk janë, u harxhuan dhe pushtetarët kanë nisur pushimet. Pensionistët dhe hallexhinjtë janë në shesh. Në cilin vend të botës një qeveri përballet me kaq shumë akuza për korrupsion dhe nuk jep dorëheqjen? Vetëm në Shqipëri ndodh kjo”, deklaroi ajo.
Qytetarja theksoi se vendi përballet me probleme serioze në drejtësi, arsim dhe shëndetësi, duke i bërë thirrje kryeministrit të largohet nga detyra.
“Rama, jep dorëheqjen dhe hapu rrugë ndryshimeve që presin shqiptarët”, u shpreh protestuesja.
