Në vijim të turit të takimeve me strukturat e arsimit parauniversitar në nisje të vitit shkollor 2026-2027, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, është ndalur në Fier, ku ka mbledhur të gjithë drejtuesit e shkollave dhe zyrave arsimore vendore të Drejtorisë Rajonale të Arsimit dhe nga ku dha disa mesazhe dhe udhëzime të rëndësishme për organizimin e vitit shkollor.
Ministrja e nisi fjalën e saj me rëndësinë e Kodi të Etikës dhe komunikimin në rolin që kanë drejtuesit e shkollave si ndërmjetës të komuniteteve.
“Të dashur kolegë, nuk jeni thjesht drejtor i asaj shkolle, jeni prind, menaxher i shkollës, psikolog i shkollës; nxënësve dhe mësuesve dhe prindërve. Jeni ndërmjetësi më i rëndësishëm mes shkollës dhe komunitetit, bashkisë, njësive administrative. Dhe kjo ka qenë arsyeja pse këtë vit, ditën e parë të shkollës, e caktuam si një ditë pa orar mësimor, por që ia dedikuam komunikimit”, tha ministrja Kumbaro.
Kumbaro përmendi kalendarin e aktiviteteve nga olimpiadat kombëtare, tek “Lëvizja për lexim 2.0” e cila do të nisë së shpejti.
“Kemi shumë aktivitete përpara, kemi olimpiadat, mes të cilave edhe një olimpiadë e re që është ajo e gjuhëve të huaja. Kemi festivalin e shkencës në gjimnazet që kalon në edicionin e dytë, do të rikonceptojmë Konkursin e Gjuhës Shqipe të klasave të nënta dhe do ta quajmë “Gjurma e Shqipes” për ta bërë më kulturor, si dhe do të nisim një aksion të ri për leximin” vijoi ministrja.
Ministrja Kumbaro gjatë takimit kërkoi të përzgjidhen me kujdes të veçantë aplikantët për trajnerë të programit “Pas Shkolle” që do të shtrihet në më shumë se 90 shkolla të DRAP Fier, si dhe vëmendje e komunikim të shtuar lidhur me sigurinë në shkolla.
