Pas disa orësh proteste para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e radhës në bulevard, duke vijuar aksionin e tyre të përditshëm të rezistencës.
Sikurse në netët e mëparshme, protestuesit do të marshojnë në disa akse të kryeqytetit, ndërsa në duar mbajnë pankarta dhe vijojnë me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Gjatë marshimit dëgjohen thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa protestuesit kërkojnë ndryshim politik dhe përgjegjësi për problematikat që, sipas tyre, po përballon vendi. Qytetarët, të mbledhur prej 65 ditësh në protestë, deklarojnë se do të vijojnë të dalin në shesh dhe në rrugët e Tiranës deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ajo që nisi si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec është shndërruar në një lëvizje qytetare më të gjerë, me protesta të përditshme kundër qeverisë dhe asaj që organizatorët e cilësojnë si “kastë politike”. Për më shumë se dy muaj, tubimet janë shoqëruar me marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe me thirrje të vazhdueshme për ndryshim politik.
Në protestën e një dite më parë, aktivistët deklaruan se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre. Ata përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa u shprehën se pakënaqësia qytetare po zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit për shkak të reformës së re territoriale, që sipas propozimit të mazhorancës pritet shkrirja e 15 bashkive.
