Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i ftuar në studion e News24, ka bërë një analize të situatës politike në vend, ndërsa protestat masive kundër qeverisë së Edi Ramës vijojnë pa ndërprerje prej më shumë se 65 ditësh. Gjatë intervistës, ai u ndal te dështimet e qeverisjes në mandatin e katërt, hilet e reformës së re territoriale dhe pritshmëritë se drejtësia e re do të trokasë shumë shpejt në zyrën e kryeministrit.

Duke komentuar nismën e re për ndarjen administrative, Kapri e cilësoi atë si një mjet që Rama po e përdor për të cimentuar pushtetin e tij politik, në kundërshtim me praktikat evropiane ku ekzistojnë njësi të vogla vendore.

“Rama kërkon të cimentojë pushtetin e tij politik. Në Evropë ka njësi të vogla të pushtetit vendor. Sot bashkitë janë me punonjës militantë. Nuk do të heqin njerëzit e tyre nga puna me reformën e re duke shkrirë bashki, por duke rritur territorin e një bashkie do të jetë më e vështirë të menaxhohet,” u theksua nga Kapri.

Duke sjellë shembullin e Tiranës, ku sipas tij ka ende kulla me kate pa leje, ai theksoi se qeverisja lokale ka dështuar në mënyrë spektakolare. Sipas tij, vendimmarrja duhet t’i kthehet komunitetit:

“Duhet të nisen nga parimi që komuniteti vendos. Nëse Libohova do një bashki të vogël për t’u qeverisur, duhet ta ketë këtë të drejtë, e jo të vendosë qeveria gjithçka. Rama do të kërkojë që PS të fitojë 90% të pushtetit lokal me reformën e re në letër.”

Sipas deputetit të Partisë “Mundësia”, kreu i qeverisë është futur në një fazë ku nuk mund të qeverisë më normalisht, sidomos pas shpërthimit të skandaleve të njëpasnjëshme dhe protestave të paprecedenta në histori.

“Rama e ka humbur kontrollin politik; që prej nisjes së mandatit të katërt nuk ka qeverisur dot. Kanë ndodhur skandale si AKSHI dhe Balluku, ndryshoi gjysmën e qeverisë pas skandalit Balluku. Kur mendonte se do arrinte marrëveshje me PD për disa gjëra, ndodhi protesta më e madhe e këtyre 35 viteve,” deklaroi Kapri.

Ai shtoi se bazuar në sondazhet e kryera edhe nga media serioze, rreth 90% e shqiptarëve i shohin kërkesat e protestës si të drejta, edhe nëse nuk janë fizikisht çdo ditë në shesh. Për këtë arsye, ai e quajti largimin e kryeministrit si të domosdoshëm: “Dorëheqja e Ramës është kusht i panegociueshëm. Rama priste që vapa apo sulmet e tij ndaj protestës do e ndalonin, por jo, nuk ia doli dot.”

Në përfundim të fjalës së tij, Kapri u ndal te përgjegjësia penale e kryeministrit, duke u shprehur i bindur se strukturat e posaçme antikorrupsion nuk do ta anashkalojnë dot kreun e qeverisë, pasi emri i tij lidhet me skemat e korrupsionit.

“Rama po punon që të ketë një garanci që të mos preket nga drejtësia. Besojmë se SPAK do të trokasë në derën e Edi Ramës për të kërkuar arrestimin ose pezullimin e tij. Rama nuk e anashkalon dot drejtësinë, emri i tij është në çdo dosje korruptive,” përfundoi Kapri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb