Një zbulim i rrallë shkencor është bërë në ujërat e Detit Egje, ku studiuesit kanë identifikuar atë që pretendohet të jetë pylli më i madh i koraleve i zbuluar ndonjëherë në këtë zonë detare.
Zbulimi u bë në hapësirën detare midis ishullit Imbros dhe Samotrakës, në ujërat territoriale turke, gjatë kërkimeve të kryera nga Fondacioni Turk i Kërkimeve Detare (TÜDAV).
Sipas shkencëtarëve, struktura e jashtëzakonshme nënujore ndodhet në një thellësi prej 70 deri në 120 metrash, rreth dy milje detare larg brigjeve të Imbros dhe shtrihet për më shumë se 2 kilometra. Ekspertët besojnë se përmasat reale të këtij ekosistemi mund të jenë edhe më të mëdha, pasi kërkimet vazhdojnë.
Presidenti i TÜDAV, profesor doktor Bayram Öztürk, deklaroi se zona përfaqëson një ekosistem me një biodiversitet unik dhe se një strukturë koralesh e kësaj madhësie nuk është hasur më parë në brigjet turke dhe greke të Egjeut.
Sipas tij, zona përmban një sasi të konsiderueshme të akumulimit të karbonatit të kalciumit, një element i rëndësishëm për formimin dhe zhvillimin e kolonive koralore.
Ndryshe nga koralet e forta që njihen më gjerësisht, koralet e identifikuara në këtë zonë i përkasin specieve të buta, të njohura si “sirena”, të cilat janë tepër të rralla në Mesdhe dhe zakonisht gjenden më shumë në pjesën perëndimore të këtij pellgu detar.
Studiuesit theksojnë se zbulimi është veçanërisht i rëndësishëm pasi shumica e kërkimeve të mëparshme për koralet në Turqi janë kryer në thellësi prej vetëm 30 deri në 50 metrash. Ekzistenca e një strukture kaq të madhe në thellësi dhe e shtrirë në kilometra konsiderohet një pikë kthese për njohjen e ekosistemit të Egjeut.
🌊 Ege'nin derinliklerinde tarihi keşif
🪸 Türkiye kara sularında, Gökçeada ile Semadirek Adası arasında bugüne kadar tespit edilen en büyük mercan ormanı keşfedildi
📍 70 ila 120 metre derinlikte başlayan ve 2 kilometreden fazla uzanan mercan ormanının, daha derin bölgelere… pic.twitter.com/RR4r6LQ8ev
— Hürriyet.com.tr (@Hurriyet) August 4, 2026
Në zonën e zbuluar janë evidentuar gjithashtu elementë të veçantë gjeologjikë, përfshirë çarje nënujore dhe rrjedhje gazi e uji. Shkencëtarët do të analizojnë ndikimin e këtyre proceseve në formimin e depozitave të karbonatit të kalciumit dhe rritjen e koraleve.
Një tjetër gjetje pozitive është gjendja e mirë e shëndetit të këtij pylli koralor. Studiuesit nuk kanë konstatuar dëmtime të mëdha, humbje të indeve apo vdekshmëri masive, fenomene që shpesh lidhen me rritjen e temperaturave të detit dhe ndryshimet klimatike.
Kërkimet në këtë zonë do të vijojnë gjatë muajve shtator dhe tetor, ndërsa ekspertët synojnë të përcaktojnë kufijtë e plotë të këtij ekosistemi dhe masat e nevojshme për mbrojtjen e tij.
Sipas profesor Öztürk, zbulimi nuk ishte një rastësi, por rezultat i rreth dhjetë viteve kërkime dhe studimesh shkencore në ujërat e Egjeut.
