Një ish-luftëtar i UÇK-së, gjatë protestës kundër kryeministrit Edi Rama, akuzoi qeverinë për politikat e ndjekura ndaj vendit dhe për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria.
Në fjalën e tij para protestuesve, ai komentoi edhe pamjet e publikuara të kryeministrit Rama gjatë pushimeve, duke e lidhur këtë me situatën politike në vend.
“Jo më larg se dje shikoja kryeministrin që kapërdiesej me gomone në det, njësoj si Ilir Meta që hipte në beton e male dhe na hiqej sikur nuk i interesonte asgjë. Shpresoj që këto shëtitje të jenë fundi i lirisë,” u shpreh ai.
Ish-luftëtari deklaroi se, sipas tij, përpjekjet për të dobësuar shoqërinë shqiptare nuk do të kenë sukses dhe se do të ketë gjithmonë qytetarë që do të reagojnë.
“Presin venitjen e këtij populli të mrekullueshëm e të dashur, por nuk do të venitet. Do të ketë shqiptarë me zemër të madhe dhe me guxim që do të dalin dhe t’ua thonë të gjitha në sy,” tha ai.
Në fund, ai theksoi se do të vijojë të jetë pjesë e protestave pavarësisht numrit të pjesëmarrësve.
“I bëj me dije Edi Ramës dhe të gjithë atyre që e mbështesin: nëse ngelen 100 veta, unë do të jem i 100-ti; nëse ngelen 10, unë do të jem i 10-ti; edhe nëse ngelet një, unë do të jem ai që do të ngrihet kundër asaj që unë e konsideroj padrejtësi ndaj Shqipërisë,” deklaroi ai.
