Kryepleqtë e 9 fshatrave të Njësisë Fierzë mblodhën banorët e zonës në një kuvend të përbashkët, ku kundërshtuan njëzëri shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz me Pukën. Largësia gjeografike me Pukën rreth 100 kilometra dhe mungesa e vullnetit për të investuar në zonat rurale ishin dy prej argumenteve kryesore që banorët shtruan në kuvendin që u mbajt pranë Kishës së Fierzës.
Banorët e Fierzës thonë se janë lënë në harresë nga institucionet dhe qeveritë prej 30 vitesh, duke dhënë dy shembuj kryesorë: mungesën e investimit për furnizimin me energji elektrike të zonës që furnizon gjithë Shqipërinë dhe investimet në arsim.
Kryepleqtë e fshatrave të Fierzës thanë se do t’i bashkohen protestës që do të mbahet në Fushë-Arrëz më 7 gusht, nga bashkia që kundërshton draftin e propozuar nga PS-ja, për t’u bashkuar me Pukën.
