Pas një marshimi të gjatë në rrugët e kryeqytetit dhe me një pjesëmarrje masive të qytetarëve, është mbyllur protesta e sotme.
Shqiptarët prej 68 ditësh kanë protestuar kundër qeverisë, duke bërë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Qytetarët janë shprehur të vendosur se nuk do të dorëzohen dhe se revolta do të vazhdojë deri në dorëheqjen e panegociueshme të Ramës.
Në mbyllje të marshimit, aktivisti Visuar Dalipi theksoi se tashmë po ndjekin një tjetër mënyrë të mbylljes së protestës dhe se çdo natë do të ketë një destinacion të ri për ta përmbyllur protestës. Gjithashtu ai theksoi se kjo protestë që tashmë vijon prej 68 ditësh, ‘ka nevojë për përshkallëzim”, duke paralajmëruar edhe bllokim rrugësh.
“Çdo natë marshimin do e mbyllim në rrugë të ndryshme, Dhe do bllokojmë çdo rrugë të Tiranës. Kjo protestë ka nevojë për përshkallëzim”, tha aktivisti Visuar Dalipaj.
Marshimi vijoi me thirrjet “Rama në burg Berisha në burg”, Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, Edi Rama jepe dorëheqjen”, “Atdheu nuk shitet”, “bashkimi bën fuqinë”.
Protestuesit kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.
