Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ishte i hapur dhe i sinqertë, por nuk ka sjellë një marrëveshje politike mes dy palëve. Kurti tha se arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit është kusht i domosdoshëm për shmangien e një krize të re politike dhe të zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas tij, një skenar ku fillimisht konstituohen institucionet, por më pas rikthehet ngërçi për zgjedhjen e presidentit, do të çonte në të njëjtin rezultat si më parë. “Jam i bindur se për qëndrueshmëri përpara, që nënkupton edhe shmangien e zgjedhjeve të reja e të panevojshme, nuk është e mundur ndryshe përveçse me marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Nëse zgjedhim kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit, formojmë qeverinë e re, por sërish përballemi me problemin e presidentit, atëherë kjo është një formulë e provuar dhe nuk mund të presim rezultat tjetër,” tha Kurti.
Ai theksoi se pa një dakordësi për këtë çështje, vendi rrezikon të shkojë drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja.
“Për momentin nuk kemi marrëveshje politike. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen,” deklaroi kryeministri në detyrë. Kurti u ndal edhe te kërkesat e LDK-së për postin e presidentit, duke thënë se ato nuk përputhen me rezultatin e zgjedhjeve. “Bindja ime është se ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së. Rezultati zgjedhor është vullnet i popullit dhe ne nuk mund të bëjmë një marrëveshje që do ta deformonte atë rezultat,” u shpreh ai. Sipas Kurtit, çdo marrëveshje politike duhet të respektojë peshën që partitë kanë marrë nga qytetarët në zgjedhje, duke lënë të kuptohet se kjo mbetet një nga pengesat kryesore në negociatat me LDK-në.
