Përplasjet diplomatike mes Spanjës dhe Italisë janë thelluar për shkak të krizës migratore në Ceuta, pasi Madridi ka paralajmëruar se do të ndërmarrë “masa proporcionale” nëse Roma nuk heq kontrollet kufitare të vendosura ndaj udhëtarëve që vijnë nga Spanja.

Kriza nisi pasi Italia pezulloi përkohësisht zbatimin e Marrëveshjes së Shengenit për mbërritjet nga Spanja dhe rivendosi kontrollet kufitare. Si kundërpërgjigje, qeveria spanjolle i dha afat Italisë deri të dielën, 9 gusht, për të tërhequr vendimin.

Roma refuzoi ultimatumin, duke deklaruar se kontrollet do të mbeten në fuqi të paktën deri më 15 gusht, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë dhe një vale të mundshme të re migratore nga Ceuta.

Më vonë, Spanja njoftoi se do të rivendosë kontrolle kufitare në aeroportet dhe portet për udhëtarët që mbërrijnë nga Italia. Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, kontrollet e pasaportave dhe vizave do të zbatohen edhe për shtetasit e vendeve të treta që hyjnë në Spanjë përmes Italisë. Masat hyjnë në fuqi në mesnatë dhe do të zgjasin deri më 7 shtator.

Kriza u përshkallëzua pasi brenda dy ditësh rreth 78 mijë emigrantë, kryesisht nga Maroku dhe Afrika Subsahariane, hynë në enklavën spanjolle të Ceutës. Shumica janë larguar, por rreth 1.400 të mitur vijojnë të ndodhen në territor, ndërsa raportohen edhe rreth 100 viktima.

Ndërkohë, Komisioni Evropian ka sugjeruar se rrjetet kriminale që përhapin dezinformata mund të kenë nxitur valën migratore. Nga ana tjetër, Maroku ka fajësuar një vendim të Gjykatës Supreme të Spanjës, sipas të cilit emigrantët e kapur në det gjatë përpjekjes për të arritur në Ceuta ose Melilla nuk mund të kthehen menjëherë në Marok.

Kriza ka krijuar gjithashtu tensione brenda Bashkimit Evropian. Italia ka marrë mbështetjen e Finlandës dhe Danimarkës për masat e saj, ndërsa Republika Çeke ka kërkuar pezullimin e përkohshëm të anëtarësimit të Spanjës në zonën Shengen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: