Situatë e rëndë nga zjarri në Mallakastër, ku flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë rrezikuar banesat në fshatin Koilac. Për shkak të avancimit të zjarrit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për evakuimin e disa familjeve nga zona e rrezikuar. Në terren janë angazhuar efektivë të Komisariatit të Policisë Mallakastër, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, forcat zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile dhe ekipe të tjera të angazhuara për përballimin e situatës.
Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. Deri tani, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe me bimësi, ndërsa rreziku mbetet i lartë për banesat dhe pronat. Flakët po përhapen në drejtim të Hekalit, Panahorit, Ribanit dhe Ngraçanit, ndërsa operacioni për izolimin dhe shuarjen e vatrave vijon.
Policia po qëndron në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe evakuimin e tyre në rast nevoje, në bashkëpunim me të gjitha strukturat e emergjencave. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave. Po verifikohet edhe mundësia që zjarri të jetë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.
Policia u bën apel qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e pakontrolluar e flakëve mund të rrezikojë jetën, pronën dhe mjedisin. Autoritetet u kërkojnë qytetarëve që të raportojnë çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie në numrin 112.
