Në ditën e 70-të të protestës kundër qeverisë, aktivisti dhe një prej organizatorëve të qëndresës, Arben Kola, ka deklaruar për News24 se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
“Sot shënon 70 ditë. Askush nuk e kishte besuar para 69 ditësh se kjo do të ishte beteja më e madhe që është bërë kundër Ramës”, u shpreh Kola. Ai tha se protestuesit do të vijojnë të mblidhen çdo ditë, ndërsa theksoi se synimi është vazhdimi i qëndresës deri në muajin shtator.
“Ne do të vazhdojmë si çdo ditë deri në shtator. Jemi në kontakt me diasporën, një pjesë e tyre i kemi mes nesh. Ata nuk do të jenë me pushime këtë vit, ndaj do të vazhdojë revolta”, deklaroi aktivisti. Kola u shpreh se organizatorët dhe protestuesit që kanë qenë në krye të kësaj lëvizjeje që prej fillimit vijojnë të jenë të pranishëm.
“Zërat le të vazhdojnë. Ata që e kanë nisur këtë protestë po qëndrojnë. Aktorët e vërtetë fillestarë vazhdojnë të jenë këtu”, tha ai.
Në përfundim, Kola theksoi vendosmërinë e protestuesve për të vijuar qëndresën. “Kjo betejë nuk ka më kthim pas”, deklaroi ai. Protesta e sotme nisi me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të vijojnë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
