Një dron është rrëzuar në veri-lindje të Bullgarisë, pranë kufirit me Rumaninë, duke shkaktuar alarm për shkak të afërsisë me një tubacion të rëndësishëm gazi që lidh Turqinë me Ukrainën. Droni ka rënë në një fushë me luledielli pranë pikës kufitare Kardam, në zonën e Detit të Zi. Nga incidenti nuk raportohet për viktima, ndërsa autoritetet bullgare kanë nisur hetimet për të përcaktuar origjinën dhe trajektoren e tij.
Sipas Ministrisë Bullgare të Mbrojtjes, mbetjet e gjetura në vendngjarje i përkasin me shumë gjasë një modeli droni të përdorur gjerësisht nga forcat e armatosura ukrainase. Pas incidentit, ambasadorja e Ukrainës në Sofje është thirrur nga autoritetet bullgare për të dhënë shpjegime. Megjithatë, Kievi ka mohuar se Bullgaria ka qenë objektivi i qëllimshëm i dronit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ukrainase, Georgy Tykhy, deklaroi se ushtria ukrainase nuk ka drejtuar qëllimisht asnjë avion drejt territorit bullgar dhe tha se incidenti do të hetohet.
Shpërthim pranë gazsjellësit
Kryeministri bullgar Rumen Radev tha se droni u rrëzua rreth 1 kilometër nga një stacion kompresori i gazsjellësit Trans-Ballkanik. Sipas autoriteteve bullgare, droni shpërtheu pas rrëzimit dhe dyshohet se mund të ketë pasur një sasi të konsiderueshme eksplozivi. Megjithatë, analizat e para të mbetjeve sugjerojnë se bëhet fjalë për një dron të tipit “Maya”, i cili nuk është projektuar për të mbajtur eksplozivë.
Ndërkohë, autoritetet rumune kanë deklaruar se sistemet e tyre të radarit nuk kanë evidentuar ndonjë avion që të ketë kaluar hapësirën ajrore rumune në drejtim të Bullgarisë. Incidenti vjen në një periudhë kur përdorimi i dronëve dhe incidentet pranë hapësirës ajrore të vendeve të NATO-s janë shtuar, veçanërisht në rajonin e Detit të Zi, si pasojë e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
