Një fluturim i Porter Airlines në Kanada është anuluar pasi një fëmijë i vogël refuzoi të ulej në vendin e tij dhe të vendoste rripin e sigurimit, duke detyruar dhjetëra pasagjerë të kalonin natën në aeroport. Avioni ishte nisur nga terminali i Aeroportit Ndërkombëtar Victoria, në British Columbia, dhe po drejtohej drejt pistës për fluturimin drejt Torontos, kur situata u përshkallëzua.
Sipas kompanisë ajrore, prindi dhe anëtarët e ekuipazhit tentuan disa herë ta bindnin fëmijën të qëndronte në sedilje me rripin e sigurimit, por pa sukses. Për arsye sigurie, avioni u kthye në portë. Prindi dhe fëmija zbritën së bashku me bagazhet, ndërsa më pas u detyruan të zbrisnin edhe të gjithë pasagjerët e tjerë.
Fluturimi nuk mundi të nisej më, pasi duhej të riplanifikohej plani i fluturimit dhe të përfundoheshin procedurat përkatëse. Për shkak të vonesës, avioni humbi edhe orarin e mbylljes së pistës në 12:30 të mëngjesit, duke bërë që pasagjerët të kalonin natën në British Columbia.
Porter Airlines flight cancelled after a child refused to sit down and buckle up. The plane returned to the terminal to remove the parent and child. All other passengers were forced to disembark. (CTV News) pic.twitter.com/zc7cvWf4HR
— World Vibe (@world_vibe_en) August 10, 2026
Porter Airlines kërkoi falje për situatën dhe njoftoi se pasagjerët do të rirezervoheshin për ditën e ardhshme.
Nuk është bërë e ditur mosha e fëmijës, ndërsa avioni kishte 132 vende. Pasagjerët e pranishëm në fluturim shprehën zhgënjim të madh dhe kritikuan kompaninë për mungesën e informacionit pas anulimit.
Një pasagjere tha për CBC se fëmija nuk dukej se po sillej keq, por ishte i frikësuar dhe “vazhdonte të fshihej nën sediljen e tij”. Sipas saj, sa herë që përpiqeshin ta vendosnin në sedilje dhe t’i lidhnin rripin, ai arratisej përsëri. Disa pasagjerë u detyruan të kërkonin hotele në minutën e fundit pranë aeroportit dhe tani kërkojnë që kompania ajrore t’i kompensojë për shpenzimet e shkaktuara nga anulimi.
