Reforma territoriale, që fshin nga harta e bashkive Bashkinë e Dimalit, ka nxjerrë edhe sot në shesh për të protestuar banorët e Dimalit.

Me moton “Dimali mbetet Dimal. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet”, banorët e Bashkisë Dimal kanë kërkuar që qeveria të mos e prekë këtë bashki.

Sipas banorëve, Dimali ka ekzistuar që prej shek. V p.e.s. dhe është një bashki me histori, tradita dhe potencial të lartë ekonomik. Banorët i bëjnë thirrje Ramës që të mos e prekë Bashkinë Dimal, emrin e të cilës e ndryshoi ai vetë në vitin 2015 (nga Ura Vajgurore në Dimal), me vendimin nr. 34 të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas banorëve, bashkimi i Dimalit me Beratin do të ndikojë negativisht jo vetëm në marrjen e shërbimeve të nevojshme të qytetarëve, por edhe në zhvillimin ekonomik të një prej bashkive të vendit, e cila, me prodhimet bujqësore dhe serat në fshatrat Kutalli, Samaticë, Drenovicë, Cukalat, Goriçan etj., furnizon prej vitesh tregjet ndërkombëtare.

Po kështu, edhe Këshilli Bashkiak Dimal ka zhvilluar një mbledhje emergjente, ku, pasi kanë miratuar pavlefshmërinë e propozimit të bërë nga qeveria për shkrirjen e kësaj bashkie, duke argumentuar se në relacion, në kundërshtim me nenin 89, nuk argumentohen as me fakte dhe as me studime fizibiliteti avantazhet e kësaj shkrirjeje, 18 anëtarët e pranishëm të Këshillit Bashkiak (nga 21 në total) kanë votuar “Pro” mosshkrirjes së Dimalit si bashki.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb