Ditët e nxehta të gushtit kanë një qetësi të veçantë, që të fton të ndalesh e të reflektosh. Jo për çfarë ka ikur, por për atë se çfarë do të vijë.

Gjurma e së shkuarës ndikon pjesërisht të ardhmen tonë, por edhe e ardhmja, në njëfarë mënyre, rikthehet dhe ndikon në mënyrën se si e kuptojmë të shkuarën. Jeta është një rrugëtim organik mes këtyre dy kohëve, ku e shkuara na formëson atë që do të bëhemi, ndërsa ajo që bëhemi ndryshon kuptimin që i japim asaj që kemi qenë.

Dhe pikërisht këtu më vjen në mendje “My Way”, kënga e Frank Sinatras. Një këngë që duket sikur lind nga fundi i një rrugëtimi, kur njeriu ndalet, kthen kokën pas dhe përpiqet të kuptojë jo vetëm çfarë ka bërë, por edhe mënyrën se si e ka bërë. Mesazhi që kënga përcjell është një përmbledhje e jetës në retrospektivë. Të gjithëve na ndodh të shohim ndonjëherë pas e të themi: “E bëra në mënyrën time” dhe më pas të pyesim: “A ishte mënyra që zgjodhëm më e mira apo më e drejta?”

Kjo pyetje merr një peshë më të madhe kur nuk flasim vetëm për jetën personale, por edhe për politikën. Sepse edhe politika, në fund të fundit, është një rrugëtim që një ditë do të shihet në retrospektivë. Vendimet e marra sot do të gjykohen nga ajo që do të sjellin nesër, ndërsa mënyra se si ushtrohet pushteti sot, mbetet pjesë e gjurmës që lëmë në shoqëri.
Politika është një fuqi e dhënë nga njerëzit për njerëzit. Për mua, ajo mbetet mishërim i vullnetit dhe vizionit për të mirën dhe progresin e përbashkët.

Për çdo vendim, një ditë do të vijë momenti i retrospektivës. Dhe atëherë nuk do të mjaftojë të themi se e bëmë “në mënyrën tonë”. Do të duhet të pyesim nëse ajo mënyrë ishte e duhura për njerëzit dhe për të ardhmen e tyre.

Mund të mos jetë pyetja që çdo politikan ia bën vetes, por është një pyetje, nga e cila asnjëri nuk duhet të shmanget.

Prandaj, “My Way” nuk është vetëm një reflektim mbi rrugën që kemi bërë, por edhe një kujtesë për përgjegjësinë ndaj rrugës që po ndërtojmë.

Sepse ajo që vjen, është thjesht pasqyra e asaj që bëjmë sot.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb