Qeveria e re hungareze ka ngritur një padi për keqmenaxhim të dyshuar të fondeve publike dhe abuzim me pushtetin, lidhur me rreth 4 miliardë forinta, ose 10.7 milionë euro, të shpenzuara për shërbime të mediave sociale gjatë qeverisjes së Viktor Orbanit.
Padia është ngritur ndaj personave të paidentifikuar dhe vjen pas një auditimi të kryer nga zyra e kryeministrit Peter Magyar mbi një kontratë të lidhur në vitin 2022 me kompaninë Triton Communications. Sipas qeverisë, kompania, e cila merrej me prodhimin e fotove, videove dhe raporteve të monitorimit të mediave sociale, ka përfituar rreth 4.23 miliardë forinta nga fondet publike gjatë një periudhe prej 44 muajsh.
Autoritetet pretendojnë se vlera e kontratës u rrit rreth katër herë, pa ndryshime thelbësore në shërbimet e kërkuara, ndërsa çmimet e aplikuara dyshohet se ishin të paktën tre herë më të larta se ato të tregut. Kompania i ka hedhur poshtë akuzat. Në një reagim në Facebook, drejtuesja e saj, Fany Kaminsky, deklaroi se Triton Communications i ka përmbushur të gjitha detyrimet kontraktuale dhe se mund të justifikojë punën e kryer.
Padia është pjesë e përpjekjeve të qeverisë së Peter Magyar për të hetuar mënyrën se si janë menaxhuar fondet dhe asetet shtetërore gjatë viteve të qeverisjes së Orbanit. Pas fitores në zgjedhjet parlamentare të prillit, Magyar e ka vendosur luftën kundër korrupsionit dhe rikuperimin e fondeve publike në qendër të agjendës së qeverisë.
Qeveria e re ka krijuar gjithashtu Zyrën për Rimëkëmbjen dhe Mbrojtjen e Aseteve, e cila synon të identifikojë dhe rikuperojë asetet publike që dyshohet se janë përvetësuar gjatë qeverisjes së mëparshme.
