Një protestues nga Dibra, i pranishëm në protestën para Kryeministrisë, u shpreh kritik ndaj situatës në vend, duke theksuar se problemet e Shqipërisë nuk mund të shihen vetëm nga Tirana.

“Dibra është Shqipëria. Nuk është Tirana Shqipëria”, tha ai, duke sjellë në vëmendje situatën në zonat e thella të vendit dhe largimin e banorëve.

Protestuesi akuzoi politikën shqiptare për dëmtimin e mjedisit dhe shkatërrimin e pasurive natyrore, duke fajësuar si Edi Ramën, ashtu edhe Sali Berishën për gjendjen e krijuar. Ai tha se ka jetuar për vite në emigracion, por sipas tij, e njeh situatën në Shqipëri dhe shqetësimet që përballen qytetarët.

“Kanë prerë pyjet, kanë shkatërruar lumenjtë. Rama dhe Berisha, të dy janë fajtorë”, u shpreh protestuesi. Duke folur për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, ai kërkoi që Shqipëria të kërkojë ndihmë dhe mbështetje nga Europa, por theksoi se përgjegjësia kryesore për problemet e vendit qëndron brenda tij.

“Nuk na ka faj Europa. Faji ndodhet këtu brenda. Problemi është në Shqipëri”, tha ai. Në fund, protestuesi u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë rezistencën dhe të kenë durim, duke theksuar nevojën për ndryshim në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: