Debate dhe tensione në Kuvendin e Kosovës. Përplasje ka pasur mes deputetes së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, dhe deputetëve të PDK-së.
Teksa Nagavci po mbante një komunikim për mediat, deputetë të PDK-së i kanë hedhur ujë deputetes së VV-së, duke shkaktuar tensione në ambientet e Kuvendit.
Situata është përshkallëzuar më tej, me një përplasje fizike mes Arbërie Nagavcit dhe deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi.
Po ashtu deputetët e PDK-së, dhe ata nga radhët e Aleancës, e kanë gjuajtur me ujë dhe letra ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvallën.
Ka pasur edhe shtyerje fizike mes deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, dhe të LVV-së, Adnan Rrustemi, teksa deputeti tjetër i LVV-së, Ardian Gola, u hyri në mes.
Përplasjet ndodhën pasi deputetët e PDK-së dhe AAK-së po kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive, pasi ka përfunduar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por Kuvendi nuk arriti të përfundonte zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Procesi mbeti pezull për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.
Megjithatë, Gërvalla tha se interpretimi i LVV-së është se seanca duhet të përmbyllet 30 ditë nga nisja e saj.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e saj, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar se fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje politike.
