Fluks i madh automjetesh është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor që të çon drejt “Polit të Eventeve” në Drenovë, ku po zhvillohet edicioni i 20-të i Festës së Birrës në Korçë.
Qindra automjete janë drejtuar drejt zonës së festivalit, duke shkaktuar ngarkesë të shtuar në qarkullim dhe radhë të gjata në rrugë.
Fluksi i lartë lidhet me numrin e madh të vizitorëve që po i drejtohen eventit, i cili ka tërhequr mijëra qytetarë nga Korça, qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe vizitorë nga jashtë vendit.
Festa e Birrës në Korçë vijon për pesë net, me Birra Korça në qendër të një prej aktiviteteve më të mëdha verore në juglindje të vendit.
Pamjet nga aksi rrugor tregojnë numrin e madh të automjeteve që po udhëtojnë drejt festivalit, ndërsa trafiku vijon të jetë i rënduar.
