Aktori Mehdi Malkaj iu drejtua protestuesve para Kryeministrisë, duke bërë thirrje për bashkim dhe duke kritikuar ndarjet politike e krahinore në vend.
Malkaj tha se shqiptarët nuk duhet të ndahen në Veri dhe Jug, duke theksuar se i gjithë territori i Shqipërisë është pjesë e së njëjtës atdhe. “Jemi katandisur si popull. Shqipëria është dhe me nënë dhe me babë. Veriorët i thonë atdhe, jugorët mëmëdhe. Kemi nënë dhe babë dhe prapë jemi jetimë”, u shpreh aktori.
Ai kritikoi edhe ata që, sipas tij, qëndrojnë jashtë protestave dhe japin mendime nga shtëpia. “Ku jeni? Ku o ku? Palo njerëz jeni që ta dini. Këtu flitet për intelektualë. Por kush është intelektuali? Ai që sheh nga shtëpia këmbë mbi këmbë dhe jep mend?”, tha Malkaj.
Aktori apeloi për bashkim të shqiptarëve nga Konispoli deri në Tropojë, duke e cilësuar përçarjen Veri-Jug si një politikë të dëmshme.
“Ne nuk kemi Veri-Jug. Kjo është politikë e shpifur për të na përçarë”, deklaroi ai. Malkaj përshëndeti gjithashtu miqtë e tij të Aleancës për Teatrin, të cilët, sipas tij, kanë qenë pjesë e protestave që nga dita e parë.
Në fund të fjalës së tij, aktori sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si përgjegjësin kryesor për situatën që, sipas tij, po përjeton vendi. “Dua të përshëndes miqtë e mi të vjetër, të Aleancës së Teatrit, që janë që nga dita e parë këtu. Të rinj dhe të reja, na ka ngelur Shqipëria kështu! Së pari, atij qelbësirës duhet t’i tregojmë vendin. Kush është ky, more?! Ai është kryearmiku i Shqipërisë. Nuk ka parë Shqipëria armik më të madh se ai”, u shpreh Malkaj.
