Rrënojat e një ure të lashtë romake kanë dalë në sipërfaqe nga ujërat e lumit Tiber në Romë, pasi një periudhë e zgjatur thatësire ka shkaktuar rënie të ndjeshme të nivelit të ujit.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturën Ura e Neronit, rrënojat e së cilës janë bërë sërish të dukshme pranë Bazilikës së Shën Pjetrit, pas javësh me pak ose aspak reshje shiu në kryeqytetin italian. Ura dikur lidhte qendrën e Romës së lashtë me bregun e djathtë të Tiberit dhe në histori është lidhur me perandorin Neron. Megjithatë, arkeologët vlerësojnë se ndërtimi i saj mund të jetë edhe më i hershëm dhe se ura mund të jetë ngritur gjatë kohës së paraardhësit dhe xhaxhait të Neronit, perandorit Kaligula.
Rrjedha e Tiberit është përgjysmuar
Rishfaqja e rrënojave të lashta përbën një pamje mbresëlënëse, por njëkohësisht është edhe një tregues i situatës serioze të mungesës së ujit me të cilën po përballet Roma, raporton Associated Press. Rrjedha e Tiberit ka rënë nën 80 metra kub ujë në sekondë, rreth gjysma e mesatares për muajin korrik, sipas Giovanni Gigandi, koordinator i qendrës së menaxhimit të ujit të Mbrojtjes Civile të Romës.
Tevere in secca, a Roma riaffiora il ponte neroniano. La struttura collegava Roma all'area del Vaticano quasi duemila anni fa #ANSA pic.twitter.com/0zoEhimtXG
— Agenzia ANSA (@Agenzia_Ansa) August 12, 2026
“Po përballemi me një krizë të madhe uji”, tha ai, duke shpjeguar se reshjet e dimrit ishin relativisht të bollshme, por u pasuan nga periudha të zgjatura thatësire.
Situata ka bërë që niveli i ulët i Tiberit të zbulojë pjesë të strukturave historike që zakonisht qëndrojnë të mbuluara nga ujërat, duke rikthyer në vëmendje një tjetër dëshmi të historisë së lashtë të Romës.
