Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku lidhur me TEC-et lundruese të vendosura në brigjet e Vlorës.
Në një deklaratë, Berisha i cilësoi TEC-et si një aferë korruptive dhe akuzoi Ramën dhe Ballukun se përfitojnë financiarisht prej tyre.
“Lubi i korrupsionit është autorja e këtyre, bashkë me Edi Ramën. Nga ato monstra të vendosura në brigjet e Vlorës, Rama dhe Lubi Balluku përfitojnë dhjetëra e dhjetëra euro. Nuk kanë si t’i heqin ato. I kanë ngulur aty dhe “hajde të vazhdojmë të vjedhim sa më shumë””, deklaroi Berisha.
Berisha vijoi sulmet ndaj SPAK-ut, duke pretenduar se struktura e posaçme nuk po heton Ramën dhe Ballukun. “Dora e Ramës dhe e Lubisë janë vetëm ata. SPAK është faktuar instrument, ose organizatë e PS. Nuk mund të hetojë SPAK. Bëri përpjekje. Prokurori i guximshëm bëri përpjekje me Lubinë dhe ai u bllokua në mënyrë trishtuese. S’ka hetim për Ramën dhe Lubinë!”, u shpreh kreu i PD-së.
