Festa e Fjetjes së Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari është kremtua me një shërbesë të posaçme në Manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Boboshticë.

Besimtarë të shumtë u mblodhën në këtë ditë të shënuar për Kishën Ortodokse, ndërsa shërbesa u drejtua nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Anastasi, i cili uroi besimtarët për festën dhe veçanërisht gratë që mbajnë emrin Maria.

Hirësi Anastasi përcolli besimtarët edhe historinë e një vajze, e cila i kërkoi nënës së saj një pasqyrë, ndërsa e ëma zgjodhi t’i jepte një ikonë të Hyjlindëses Mari.

Pas ikonës ajo kishte shkruar: “Bija ime, kjo është pasqyra në të cilën ti duhet të shikosh veten tënde.”

Pikërisht këtë mesazh, Mitropoliti e cilësoi si një kujtesë për çdo grua dhe nënë, që në jetën e saj të ketë si model virtytet dhe figurën e Hyjlindëses.

Në Manastirin e Boboshticës, kremtimi i kësaj dite u shoqërua me lutje dhe përshpirtje, duke i dhënë vëmendjen e merituar kësaj dite të rëndësishme për kalendarin ortodoks.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb