Një pushues nga Polonia ka treguar momentet e panikut gjatë zjarrit që përfshiu hotel “Brooklyn” në zonën e Lungomares në Vlorë, gjatë orët e para të mëngjesit të sotëm, 16 gusht.
I riu tregoi se gjithçka nisi rreth orës 4:00 të mëngjesit, kur u zgjuan nga gjumi për shkak të erës së tymit dhe thirrjeve për ndihmë brenda godinës:
“U zgjuam natën, nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura. U hodhëm nga dritarja, thirrëm për ndihmë. Kaq. Jam nga Polonia. Ora ishte rreth 4 e mëngjesit.”
Zjarri në hotel la disa persona të plagosur, ndërsa disa prej tyre u detyruan të hidheshin nga kati i dytë për t’u shpëtuar flakëve. Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, konfirmoi se situata ishte mjaft emergjente dhe se pacientët kishin pësuar dëmtime të rënda:
“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës. Dy prej tyre i nisëm në Qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve.”
“Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë. Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një tjetër 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni.”
