Kriza institucionale në Poloni po thellohet, pasi kryeministri Donald Tusk dhe presidenti Karol Nawrocki kanë hyrë në një përplasje të drejtpërdrejtë për kontrollin dhe drejtimin e Gjykatës Kushtetuese. Palët kanë qëndrime të kundërta për emërimin e gjyqtarëve, ndërsa përplasja ka nxjerrë në pah ndarjet e thella politike në vend.
Situata u përshkallëzua të premten, kur gjyqtarja me përvojën më të gjatë në Gjykatën Kushtetuese, Anna Korwin-Piotrowska, vendosi të pezullojë për një muaj kryetarin e institucionit, Bogdan Święczkowski, dhe zëvendësin e tij, Bartłomiej Sochański, duke marrë përkohësisht drejtimin e gjykatës.
Kryeministri Tusk doli në mbrojtje të këtij vendimi, duke deklaruar se qeveria kishte bërë disa përpjekje për të gjetur një marrëveshje me presidentin, por pa arritur rezultat. Në një fjalim televiziv të shtunën, ai tha se ishin propozuar zgjidhje dhe nisma ligjore për rikthimin e sundimit të ligjit, por ato nuk ishin pranuar.
Tusk këmbënguli se gjyqtarët janë zgjedhur në përputhje me ligjin dhe se askush, përfshirë kreun e shtetit, nuk mund t’i pengojë ata të ushtrojnë detyrën.
Nga ana tjetër, presidenti Karol Nawrocki e cilësoi zhvillimin si një marrje me forcë të një institucioni kushtetues dhe shkelje të rendit publik. Për të ndjekur nga afër situatën, ai ndërpreu edhe udhëtimin zyrtar drejt Senegalit dhe u kthye në Poloni, ku u paraqit në ambientet e Gjykatës Kushtetuese.
Në qendër të konfliktit qëndron edhe refuzimi i Nawrockit për të betuar pesë gjyqtarë të zgjedhur nga parlamenti. Qeveria kërkon që ata të marrin detyrën, ndërsa presidenti kundërshton procedurën e ndjekur për emërimet.
Komisioni i Venecias ka sqaruar se betimi i gjyqtarëve nga presidenti ka karakter ceremonial dhe duhet të kryhet pa vonesa. Megjithatë, mosmarrëveshja mes dy institucioneve vazhdon të bllokojë funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese.
Përplasja mes Tuskut dhe Nawrockit e ka zanafillën në konfliktet mbi sistemin gjyqësor që prej vitit 2015 dhe tashmë është kthyer në një krizë të gjerë institucionale, duke ngritur shqetësime për pavarësinë e drejtësisë dhe zbatimin e sundimit të ligjit në Poloni.
