Janë publikuar pamjet nga vendngjarja e shpërthimit me lëndë plasëse në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, ku shënjestër e sulmit ishte banesa e shtetasit Ylli Zalla.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë pasojat e rënda të shpërthimit të ndodhur gjatë orëve të natës. Automjeti i parkuar pranë shtëpisë është shkrumbuar tërësisht nga flakët, ndërsa çatia mbrojtëse mbi të ka pësuar dëmtime të rënda nga djegia dhe nxehtësia e lartë.
Dëmtime të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në vetë banesën njëkatëshe, ku vala e shpërthimit ka shkatërruar derën kryesore, dritaret si dhe ka dëmtuar strukturën e verandës në hyrje të shtëpisë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës vonë, por policia është njoftuar ditën e sotme në paradite nga bashkëshortja e Zallës, e cila ndodhej në Itali. Për shkak se pranë banesës nuk ka pasur të vendosura kamera sigurie, momenti i shpërthimit nuk është regjistruar nga pajisje vëzhguese.
Në vendngjarje po vijon puna nga grupi hetimor, ndërsa mes pistave kryesore që po verifikohen nga policia është edhe dyshimi se lënda plasëse mund të jetë vendosur nga vetë i zoti i shtëpisë. Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij incidenti.
