Një denoncim për një situatë të rrezikshme për sigurinë e banorëve ka mbërritur në redaksinë e BalkanWeb nga fshati Bilç i Bashkisë Berat, pranë urës së re dhe rrugës që lidh Bilçin me Drobonikun. Sipas denoncuesit, kabllot e energjisë elektrike trefazore janë vendosur në tarracën e banesës së tij dhe janë fiksuar në hekurat e kolonës së ndërtesës. Ai ngre shqetësimin se një linjë elektrike me tension të lartë kalon mbi banesë, duke krijuar, sipas tij, rrezik për familjarët dhe banorët e zonës.
Denoncuesi pretendon gjithashtu se kabulli është lidhur me një litar, i cili, sipas tij, është në gjendje të amortizuar dhe rrezikon të këputet.
Për situatën, banori thotë se ka njoftuar më herët institucionet përgjegjëse, por deri më tani, sipas tij, nuk është marrë asnjë masë konkrete dhe gjendja ka mbetur e pandryshuar.
“Në çdo rast më rrezikohet familja, shtëpia dhe banorët e lagjes ku banojmë”, shkruan denoncuesi, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për verifikimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme.
Ai i është drejtuar redaksisë për ta bërë publike problematikën, me shpresën që autoritetet përgjegjëse të ndërhyjnë për të garantuar sigurinë e banorëve dhe të pronës.
