Analisti Ermal Hasimja, i ftuar në News24, ka analizuar qëndresën 79-ditore të protestuesve në Shqipëri, duke zbërthyer faktorët që po ushqejnë këtë protestë, efektet e saj në shoqëri dhe arsyet pse kryeministri Edi Rama e ka të vështirë të tërhiqet.

Sipas tij, jetëgjatësia e jashtëzakonshme e kësaj proteste vjen nga fakti se qytetarët gjetën gjuhën e përbashkët përtej ndarjeve politike tradicionaliste. Ai theksoi se sot në shesh bashkohen njerëz të së majtës, të së djathtës, punonjës të administratës dhe grupime të ndryshme opozitare.

Lëvizja qytetare ka sjellë disa arritje kryesore në shoqëri. Së pari, ajo ka thyer intimidimin, pasi qytetarët dhe punonjësit e administratës publike nuk kanë më frikë të dalin dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre. Po ashtu, protesta ka shërbyer si një shkollë vere demokracie ku të rinjtë, të cilët më parë ishin apatikë ndaj politikës, po marrin edukim qytetar dhe njohuri mbi funksionimin e shtetit. Kjo qëndresë ka konsoliduar një qëndrim elektoral të qartë kundër qeverisjes aktuale për zgjedhjet e ardhshme, si dhe ka nxjerrë zbuluar ekzekutivin duke ushtruar presion direkt si mbi qeverinë, ashtu edhe mbi opozitën.

Pyetjes se pse kryeministri nuk vendos të japë dorëheqjen pas 79 ditësh protestë, Hasimja iu përgjigj duke shpjeguar se kjo nuk është më thjesht çështje e vullnetit individual të Edi Ramës:

“Kryeministri ka marrë angazhime me të gjithë atë mekanizëm të madh dhe aleancë që i siguron qëndrimin në pushtet. Ai është në një marrëdhënie kontraktuale me gjithë këtë organizëm gjigant, dhe madje edhe po të vendoste të tërhiqej, është kjo aleancë nga prapa që nuk e lejon sepse interesat e tyre lidhen drejtpërdrejt me vijimësinë e qeverisjes së tij.”

Ai shtoi se protestuesit, duke kërkuar largimin e Ramës, kërkojnë në fakt zhbërjen e të gjithë këtij sistemi që e mban atë në pushtet.

I pyetur nëse ndryshimi do të vijë nga brenda apo nga ndihma e faktorëve ndërkombëtarë, Hasimja u shpreh se pritja që të huajt të ndryshojnë politikën në Shqipëri është një iluzion dëmtues. Ai solli në vëmendje historinë e vendit:

“Ne shqiptarët kemi rrëzuar një sistem komunist që ka qenë më barbarit dhe më gjakatari në Evropë. Kemi luftuar regjime më të egra se ky i sotmi. Është Shqipëria ajo që do ta ndryshojë Shqipërinë.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb