Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e “News24”, ka lëshuar akuza të forta ndaj autoriteteve lidhur me menaxhimin e situatës së zjarreve që kanë përfshirë vendin. Ajo theksoi se institucionet po mjaftohen me propagandë për kapjen e zjarrvënësve, ndërsa në terren mungojnë të gjitha kapacitetet logjistike dhe mjetet për shuarjen e flakëve.
Sipas gazetares, në vend që të justifikohet situata me zjarret në Greqi apo shtetet e tjera ku autoritetet vihen në lëvizje me të gjitha kapacitetet, në Shqipëri po mungon reagimi i mirëfilltë institucional ku duhet të angazhohen ushtria, policia dhe zjarrfikësit me pajisje të duhura. Lala denoncoi kushtet e vështira me të cilat përballen zjarrfikësit, të cilët dërgohen në vatrat e zjarrit pa pajisje mbrojtëse, vetëm me bluzë dhe këpucë në gjendje skandaloze. Ajo nënvizoi se mungesa e mjeteve është pasojë e vjedhjes dhe keqmenaxhimit të parave publike.
Gjatë fjalës së saj, gazetarja ngriti shqetësimin për shpërdorimin e detyrës lidhur me firmosjen e aktit normativ për alokimin e parave nga fondi i emergjencave civile. Ajo përmendi se mbi 4 milionë euro nga ky fond u shpenzuan për koncertin e reperit Kanye West, në një kohë kur këto para duhej të përdoreshin për përballimin e emergjencave kritike në vend.
Lala solli si shembull dështimin e ndërhyrjes nga ajri në Parkun Kombëtar të Lurës, ku helikopteri ka qëndruar vetëm dy orë mbi vatër ndërsa zjarri përparonte, duke shkaktuar dëme të mëdha në pjesën më të bukur të kurorës së saj pyjore.
