Temperaturat e larta dhe aktiviteti i shtuar në bujqësi kanë rritur edhe ekspozimin e banorëve të zonave rurale ndaj insekteve dhe zvarranikëve. Në Belsh, pickimet nga bletët dhe grerëzat janë kthyer në një problem të shpeshtë shëndetësor gjatë kësaj periudhe të verës.

Mjeku i Qendrës Shëndetësore Belsh, Agim Hasko, bën me dije se çdo ditë paraqiten mesatarisht 7 deri në 10 raste të pickimeve nga insektet, ku pjesën më të madhe e përbëjnë pickimet nga bletët dhe grerëzat.

Sipas mjekut, rastet variojnë nga forma të lehta, të cilat trajtohen në Qendrën Shëndetësore të Belshit, deri tek raste më të rënda që kërkojnë trajtim të specializuar dhe referohen në Spitalin Rajonal të Elbasanit.

Grupmosha më e ekspozuar, sipas mjekut Hasko, është ajo 25 deri në 65 vjeç. Kjo lidhet kryesisht me faktin se pjesa më e madhe e kësaj grupmoshe është e angazhuar drejtpërdrejt në punët bujqësore, duke kaluar orë të gjata në ambiente të hapura.

“Pickimet më të shpeshta janë ato nga bletët dhe grerëzat. Për shkak të aktivitetit bujqësor, njerëzit janë më të ekspozuar gjatë punës në terren”, shpjegon mjeku.

Përveç insekteve, në zonën e Belshit raportohen edhe raste të pickimeve nga gjarpërinjtë. Sipas të dhënave nga Qendra Shëndetësore, regjistrohen rreth 1 deri në 2 raste, veçanërisht gjatë periudhave kur temperaturat janë të larta dhe aktiviteti në terrene bujqësore është më intensiv.

Mjeku Agim Hasko u bën apel qytetarëve që pas një pickimi të ruajnë qetësinë dhe të marrin masat e para të ndihmës, por mbi të gjitha të kërkojnë këshillën e mjekut të familjes ose të paraqiten në qendrën shëndetësore.

Veçanërisht të kujdesshëm duhet të jenë personat që kanë pasur më parë reaksione alergjike nga pickimet. Në rast se pas pickimit shfaqen shenja të rënda, nevojitet ndërhyrje e menjëhershme mjekësore, pasi një reaksion i fortë alergjik mund të përbëjë rrezik serioz për shëndetin.

Belshi është një zonë me aktivitet të gjerë bujqësor dhe një popullsi prej rreth 35-40 mijë banorësh, ndaj mjeku këshillon fermerët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë punës në tokat bujqësore.

Rekomandohet përdorimi i veshjeve të përshtatshme që mbulojnë sa më shumë pjesë të trupit, si dhe shmangia e punës në terren gjatë orëve kur temperaturat arrijnë nivelet më të larta.

Për personat që e dinë se janë të rrezikuar nga reaksionet e forta pas pickimeve, këshillohet të kenë me vete një çantë me mjete bazë për ndihmën e shpejtë dhe të mos e neglizhojnë asnjë simptomë të pazakontë.

Me rritjen e temperaturave dhe intensifikimin e punëve në bujqësi, bluzat e bardha në Belsh u bëjnë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në kohë, veçanërisht në rastet kur simptomat pas pickimit përkeqësohen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb