Protestuesit do të rikthehen sot për të 82-ën ditë radhazi në rrugët e Tiranës, duke vijuar tubimet kundër qeverisë dhe klasës politike.
Edhe këtë të enjte qytetarët pritet të mblidhen në qendër të kryeqytetit dhe të vijojnë protestën para godinës së Kryeministrisë.
Një ditë më parë, në protestën e 81-të, qytetarët u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
“Rama në burg, Berisha në burg”, “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët” dhe “Shqipëria kërkon revolucion” ishin disa prej thirrjeve të dëgjuara gjatë tubimit.
Një zhvillim i bërë publik në protestën e 81-të ishte njoftimi se grupi koordinator u është drejtuar me një letër Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
Sipas protestuesve, kërkesa synon që tubimet dhe mënyra se si autoritetet reagojnë ndaj tyre të jenë nën vëzhgimin e institucioneve ndërkombëtare, me qëllim shmangien e dhunës policore, arrestimeve arbitrare apo formave të tjera të presionit.
Ndërkohë, protestuesit po paralajmërojnë një tjetër fazë të mobilizimit me përfundimin e sezonit veror.
Një prej aktivistëve deklaroi se në shtator qytetarët pritet të rikthehen më fuqishëm në protestë, ndërsa nuk përjashtoi kalimin drejt mosbindjes civile nëse qeveria, sipas tij, vazhdon të mos reflektojë.
“Në ditët në vazhdim, me shtatorin kur shumë rikthehen në Tiranë dhe me skandalet që qeveria na nxjerr në shesh, shqiptarët do të rikthehen fuqimisht. Besoj se do të shkojmë drejt mosbindjes civile për arsye të mosreflektimit të qeverisë”, deklaroi ai.
