Gjatë fjalës së mbajtur përpara godinës së Kryeministrisë në ditën e 82-të të qëndresës qytetare, aktivistja Sidorela Vatnikaj ka përsëritur pesë kërkesat thelbësore që i kanë nxjerrë qytetarët në shesh kundër qeverisjes aktuale.
Vatnikaj theksoi se kërkesa e parë e padiskutueshme e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, e ndjekur nga krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor. Sipas saj, ky kabinet do të ketë për detyrë t’i çojë shqiptarët në zgjedhje të lira e demokratike, pa ndikimin e mafies, krimit të organizuar dhe rrjetit të patronazhistëve.
Si kërkesë të tretë, aktivistja renditi anulimin e menjëhershëm të të gjitha ligjeve që po pafuqizojnë pasurinë kombëtare dhe po e copëtojnë vendin, duke veçuar “Paketën e Maleve”, ligjin për investitorët strategjikë dhe ndryshimet e kontestuara në ligjin për zonat e mbrojtura.
Në kërkesën e katërt, Vatnikaj nënvizoi nevojën për t’i kthyer nderin vendit duke i dhënë fund sundimit të pafundmë nga të njëjtët dy persona në politikë. Ajo propozoi vendosjen e një kufizimi kushtetues ku çdo kryeministër të mund të zgjidhet për vetëm 2 mandate gjatë të gjithë jetës së tij politike.
Së fundi, ajo bëri thirrje për krijimin e një kontrate të re sociale mes shoqërisë shqiptare dhe shtetit, ku pushteti t’i shërbejë qytetarit dhe jo e kundërta, duke e përmbyllur fjalën e saj me thirrjen për bashkim drejt një Shqipërie të re e të lirë.
