Në fshatin Oblikë të njësisë Ana e Malit në Shkodër, aty ku një ditë më parë u qëllua me thikë duke humbur jetën në spital punonjësi i OSHEE-së Zamir Velaj, ka një heshtje të plotë. Familja e viktimës ka hapur dyert e mortit, ndërsa ajo e autorit qëndron e ngujuar nga frika e hakmarrjes.
Policia e Shkodrës ka marrë në ruajtje banesën e autorit të krimit Martin Zefi për të shmanguar ndonjë hakmarrje të mundshme për faktin se familjet e viktimës dhe ajo e autorit janë jo shumë larg njëra- tjetrës.
Banorët e Oblikës janë të shokuar nga kjo ngjarje ndërsa thonë se e dënojnë aktin e kryer nga autori. Për ta elektricisti i asaj zone Zamir Velaj që mbeti viktimë pasi nuk pranoi të rilidhte energjinë ishte një djalë punëtor dhe nuk duhej të vritej në atë mënyrë.
Borxhi i akumuluar ndër vite që kishte arritur në 500 mijë lekë ka detyruar elektricistin e zonës Zamir Velaj që pas urdhërit nga OSHEE në Shkodër , t’ia shkëpuste energjinë Zefit, gjë e cila e revoltoi këtë të fundit ndërsa e qëlloi elektricistin me thikë duke e lënë të vdekur.
(d.b/News24/BalkanWeb)