Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Shëtitësi”, duke vënë në pranga shtetasin Fatos Arifi, 56 vjeç, banues në Durrës. I arrestuari u kap në flagrancë në lagjen “Liria” teksa po tentonte të vidhte një biçikletë.

Arrestimi i 56-vjeçarit erdhi pas denoncimeve të marra nga qytetarët dhe punës hetimore e gjurmuese të strukturave të policisë për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve të pronës. Nga veprimet procedurale të kryera, dyshohet se Fatos Arifi është autor i vjedhjes së një shume parash brenda një automjeti taksi, si dhe i vjedhjes së dy biçikletave të tjera në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.

Operacioni “Shëtitësi” kishte në fokus goditjen e veprimtarisë kriminale kundër pronës dhe parandalimin e vjedhjeve të mëtejshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme ligjore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb