Marshimi i protestuesve në ditën e 87-të të qëndresës po vijon me masivitet në rrugët kryesore të Tiranës. Qytetarët kanë mbuluar akset e kryeqytetit me simbole e flamuj kuqezi, duke dhënë një mesazh të fortë bashkimi dhe revolte.

Teksa përshkojnë bulevardet dhe udhëkryqet kryesore të qytetit, protestuesit vijojnë me korre e thirrje të njëpasnjëshme drejtuar krerëve të shtetit. Thirrje si “Rama jep dorëheqjen!”, “Shqipëria kërkon revolucion!” dhe “Ju erdhi fundi!” po ushtojnë përgjatë gjithë linjës së marshimit.

I gjithë marshimi po shoqërohet nga një atmosferë e zjarrtë, ku turmës që u nis nga godina e Kryeministrisë po i bashkohen vazhdimisht qytetarë e të rinj të tjerë nëpër rrugë.

Qytetarët theksojnë se kjo qëndresë nuk do të ndalet deri në plotësimin e kërkesave të tyre për dorëheqjen e kryeministrit dhe reformimin e plotë të sistemit politik në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb