Tenistët prej kohësh kërkojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave totale të turneve Grand Slam dhe “US Open’ është i pari që ka bërë një hap përpara për t’iu përgjigjur kërkesave të profesionistëve të raketës.

Organizatorët e turneut të Nju Jorkut njoftuan të enjten e kaluar një fond rekord shpërblimesh prej 108 milionë dollarësh. Kjo përkthehet në një rritje prej 20 për qind të shumës së shpërndarë për lojtarët, krahasuar me edicionin e kaluar. Vetëm kampionët e turneve individualë do të marrin nga një çek prej 5.5 milionë dollarësh. Karlos Alkaraz, ndërkohë, në vitin 2025 fitoi shpërblimin më të madh në historinë e tenisit, prej 5 milionë dollarësh, ekuivalente me rreth 4.29 milionë euro.

Craig Tiley, drejtuesi që ka kontribuar në rritjen e “Australian Open”, tashmë ka marrë drejtimin e USTA-së, Federatës Amerikane të Tenisit. Organizata që administron të drejtat e turneut të fundit Grand Slam të sezonit ka vendosur çmime shumë të larta për tifozët që dëshirojnë të ndjekin nga afër ndeshjet në “Flushing Meadoës’ duke nisur nga kjo javë. Sot turneu nis zyrtarisht me garën e çifteve të përziera. Një biletë për stadiumin “Arthur Ashe” kushton nga 70 dollarë deri në afro 500 dollarë.

Sot, gjithashtu do të zhvillohet edhe një ndeshje ekzibicioni, ku protagonist kryesor do të jetë Roxher Federer. Në stadiumin qendror më të madh në botë, me kapacitet mbi 23 mijë spektatorë, biletat kushtojnë nga 84 dollarë deri në afro 900 dollarë. Por ajo që bie më shumë në sy është çmimi i biletës për ditën e parë të fazës së turneut individual, të dielën, më 30 gusht, e cila jep akses vetëm në fushat e jashtme. Çmimi i saj arrin deri në 323 dollarë. Çdo ditë e garës është e ndarë në një seancë ditore dhe një seancë mbrëmjeje, me bileta të ndryshme në varësi të orarit.

Diferencë e madhe me Grand Slam-et e tjerë

Për të njëjtën ditë dhe për të njëjtin lloj bilete, “Australian Open” u ka kërkuar tifozëve vetëm 35 dollarë. Në “Roland Garros”, çmimi ka qenë 45 dollarë, ndërsa në “Wimbledon”, i konsideruar si “katedralja e tenisit”, tifozët kanë paguar 44 dollarë. Ndërkohë, ata që duan të ndjekin nga afër finalen e femrave në Nju Jork duhet të kenë një buxhet të konsiderueshëm: bileta kushton deri në 1,696 dollarë. Për finalen e meshkujve, çmimi i biletës më të shtrenjtë arrin në 2,938 dollarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb