Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka bërë një denoncim të fortë gjatë një interviste në News24, ku deklaroi se është kërcënuar nga bashkëshorti i një ish-drejtoreshe të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, e cila është arrestuar në kuadër të një hetimi për përvetësimin e fondeve të pensioneve.

Kapri tha se kërcënimet kanë ardhur pas denoncimeve të tij publike dhe të deputetit Agron Shehaj, duke theksuar se pavarësisht presioneve, ata nuk do të tërhiqen.

“Unë jam kërcënuar nga një zyrtar i PS, bashkëshorti i një drejtoreshe që vodhi paratë e pensionistëve në Durrës. E kemi bërë publike bashkë me zotin Shehaj. Ne nuk na shantazhojnë dot. S’na e mbyllin dot gojën”, deklaroi Kapri.

Deputeti foli edhe për situatën politike dhe protestat kundër qeverisë, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama ka humbur një pjesë të narrativës politike dhe se protesta ka rrëzuar, sipas tij, “fabulën e gogolit-Berisha”.

Kapri deklaroi gjithashtu se Rama ka caktuar koordinatorë me synimin për të frenuar zgjerimin e partive të reja politike, duke thënë se për këtë çështje opozita ka informacionet e saj. Në lidhje me protestat, deputeti i Partisë Mundësia paralajmëroi përshkallëzim të tyre nëse kryeministri nuk jep dorëheqjen.

“Nëse Rama do të këmbëngulë që të mos japë dorëheqje, do të ketë reagim më të fortë, të ashpër. Do të ketë përshkallëzim të protestës”, u shpreh Erald Kapri. Ai deklaroi se si ai ashtu edhe Agron Shehaj nuk do të tërhiqen përballë presioneve apo kërcënimeve, ndërsa theksoi se protestat do të vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb