Arrestimi i biznesmenit Ergys Agasi ka qenë tema qendrore edhe në fjalimet e të rinjve gjatë protestës qytetare përpara godinës së Kryeministrisë. Një prej protestuesve të rinj deklaroi nga sheshi se prangosja e Agasit dëshmon rënien e plotë të ekzekutivit dhe fundin politik të kryeministrit Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, i riu e cilësoi Agasin si krahun e djathtë të kryeministrit, duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë direkte të kreut të qeverisë.
“Arrestimi i Agasit tregon se shteti ka rënë. Krahu i djathtë i Ramës është prapa hekurave. Kur arrestohet krahu i djathtë i kryeministrit, kjo tregon se kjo qeveri ka rënë dhe se nuk ka qenë kurrë e popullit, por e bandave, mafias dhe rrethit të tyre të ngushtë. Po tani, Edi Rama, kush do ta shoqërojë eskortën tënd, sepse Gysin e ke brenda? Kush e ka radhën pas Agasit? Çfarë justifikimi do të nxjerrësh tani? Përgjegjësia është vetëm e jotja, sepse je kryehajduti i Shqipërisë dhe ti ke marrë fund!”, u shpreh protestuesi.
Në vijim të reagimit të tij, i riu i drejtoi një thirrje të drejtpërdrejtë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të tregojë seriozitet dhe të mos lehtësojë masat e sigurisë për personat e arrestuar.
“Një thirrje i bëj SPAK-ut: vijoni hetimet dhe merrini seriozisht! Të mos bëhet rëndom siç ndodh zakonisht që pas një muaji arrestimi ai të kalojë në detyrim paraqitje apo arrest shtëpie. Çfarë detyrimi paraqitje mund të ketë për një mafioz? Për një hajdut?”, përfundoi ai fjalën e tij përpara turmës.
