Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve që të përgatiten për një fazë të re të aksionit politik, duke e cilësuar “ripërtëritjen” si procesin jetik që duhet të udhëheqë PD-në drejt fitores. Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së.
Berisha tha se opozita ka hyrë në një fazë ku duhet të kalojë në sulm dhe se, sipas tij, ndodhet në “kilometrat e fundit” drejt fitores. Ai pretendoi gjithashtu se mbështetja për Edi Ramën ka pësuar një rënie të fortë në sondazhe, duke e cilësuar kryeministrin si “të vdekur politikisht”.
“Duhet të përgatitemi për ripërtëritje si demokratë. Kemi kaluar shumë gjëra. Kemi hyrë në një fazë ku duhet të jemi në sulm, në km e fundit. Të sigurt drejt fitores. Kundërshtari ynë ka 29% rënie në sondazhe, është në vdekje politike, edhe ndërkombëtarisht. Rama ka vdekur politikisht. Është shkonfiguruar. U shpërfytyrua, para syve të opinionit publik. Çdo gazetar që hyri në zyrën e tij doli i bindur se ky është i skaduar, i shpërfytyruar. Ai ka vdekur politikisht.
Këto duhet t’i frymëzojnë çdo demokrat dhe t’i japin motivimin për të çuar përpara procesin jetik që kemi nisur, ripërtëritjen. PD ka potencial të jashtëzakonshëm. Ka personalitete me merita, drejtues të sprovuar. Ka vetëm një kusht që këta të qëndrojnë në krye të misionit të tyre: ripërtëritja. Dhe duam ta pranojmë. Kush do ta bëjë këtë? Ju! Do ta fillojmë nga vetja ripërtëritjen dhe do ta shtrijmë në të gjitha nivelet. S’ka më letargji në radhët tona”, tha Berisha.
