Një skenë e pabesueshme është regjistruar në Berkshire të Anglisë, ku një 32-vjeçar që dyshohet se i vuri flakën dy automjeteve, për pak sa nuk u bë vetë viktimë e zjarrit që kishte shkaktuar.
Krzysztof Orzechowski dyshohet se sulmoi dy automjete të parkuara pranë një banese familjare në Berkshire, duke shkaktuar një zjarr që solli dëme të konsiderueshme në shtëpi. Por gjatë aktit, situata doli jashtë kontrollit dhe flakët u përhapën edhe tek ai.
Pamjet e publikuara tregojnë 32-vjeçarin teksa, vetëm pak sekonda pasi kishte nisur zjarri, përpiqet të largohet ndërsa trupi i tij është përfshirë nga flakët. Gjashtë ditë më vonë, policia identifikoi një automjet të lidhur me Orzechowskin dhe tentoi ta ndalonte. 32-vjeçari, i cili ishte në drejtim të mjetit, nuk iu bind urdhrit të policisë dhe nisi një ndjekje në rrugët rurale.
Sipas Policisë së Luginës së Thames, ai arriti shpejtësi deri në 100 milje në orë, rreth 160 km/orë, ndërsa kreu manovra të rrezikshme dhe parakaloi automjete të tjera.
Ndjekja përfundoi kur Orzechowski humbi kontrollin në një kthesë dhe u përplas. Pavarësisht aksidentit, ai nuk pësoi lëndime serioze dhe u arrestua më pas nga efektivët. Pas procedimit penal, 32-vjeçari u shpall fajtor dhe u dënua me 5 vjet e 7 muaj burg për zjarrvënien ndaj dy automjeteve dhe dëmet e rënda të shkaktuara.
