Tensionet janë përshkallëzuar në enklavën spanjolle të Ceutës, në Afrikën e Veriut, ku protestuesit i vunë flakën një kampi ku strehoheshin migrantë dhe kërkuan që ata të kthehen në Marok.

Ngjarja ndodhi të enjten në zonën e plazhit të Benitezit, ku disa migrantë kanë qëndruar prej javësh. Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë protestues që hedhin objekte në drejtim të zjarrit, ndërsa situata u tensionua më tej.

Më herët, një grup demonstruesish kishte penguar hyrjen e një automjeti të Kryqit të Kuq Spanjoll në zonën e plazhit të Trampolín, ku po transportoheshin ushqime dhe ujë për migrantët.

Sipas raportimeve, protestuesit i vunë gjithashtu flakën dy strukturave të vogla prej kashte pranë një plazhi tjetër.

Policia ndërhyri për të ndarë protestuesit nga migrantët, të cilët u strehuan në një skelë për t’u larguar nga zona e konfliktit.

Në fund të korrikut, deri në 80,000 migrantë dyshohet se hynë masivisht në Ceuta nga Maroku, shumë prej tyre duke tentuar të kalonin kufirin përmes detit.

Sipas shifrave zyrtare, të paktën 96 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të hyrë në enklavë.

Shumica e migrantëve u kthyen në Marok në ditët në vijim, ndërsa disa mijëra prej tyre vijojnë të qëndrojnë në Ceuta.

Kriza ka shkaktuar përplasje të forta politike në Spanjë. Partia Popullore dhe Vox kanë kërkuar kthimin e migrantëve, ndërsa disa përfaqësues të opozitës e kanë cilësuar situatën si “pushtim”.

Megjithatë, marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendimet e gjykatave spanjolle nuk lejojnë kthime masive dhe kërkojnë që çdo rast të shqyrtohet individualisht.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet të miturve të pashoqëruar, të cilët gëzojnë mbrojtje të posaçme ligjore.

Mes migrantëve që ndodhen në Ceuta besohet se janë rreth 1,500 fëmijë dhe adoleshentë. Rreth 500 prej tyre konsiderohen veçanërisht të cenueshëm, kryesisht vajza.

Autoritetet spanjolle pritet të transferojnë një pjesë të tyre drejt Spanjës kontinentale, në kuadër të masave për menaxhimin e krizës.

Qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez po përballet me presion të shtuar politik për mënyrën se si ka menaxhuar situatën në Ceuta.

Opozita konservatore e ka akuzuar qeverinë se ka reaguar me vonesë dhe se ka dështuar të mbrojë banorët e enklavës.

Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, deklaroi se CNI, agjencia spanjolle e inteligjencës që raporton tek ajo, kishte paralajmëruar një ditë përpara për një përpjekje masive të migrantëve për të hyrë në Ceuta.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë argumentuar se nuk kishte paralajmërim për përmasat që do të merrte kriza.

Kryeministri Pedro Sanchez pritet të flasë për situatën në parlamentin spanjoll javën e ardhshme, ndërsa kriza në Ceuta ka tërhequr edhe vëmendjen ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb