Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me DVP Durrës, një tjetër fazë e operacionit të koduar “Fast”.

I akuzuar në Norvegji, për krime kundër personit dhe kundër qetësisë publike, dhe në Shqipëri, për krime në fushën e narkotikëve, kapet te zona e quajtur “Plepat”, Durrës, shtetasi norvegjez.

Në vijim të koordinimit informativ dhe operacional, nëpërmjet Interpol Tiranës, me homologët në Norvegji, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, si rezultat i të cilit u lokalizua te zona e quajtur “Plepat”, dhe u arrestua provizorisht shtetasi norvegjez, , Sebastian Templet 28 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse autoritetet gjyqësore norvegjeze, në muajin prill, 2026, kanë lëshuar urdhër arresti për të, për kanosje dhe për prishje të qetësisë publike.

Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, në muajin maj, 2026, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet norvegjeze, vijon procedurën për ekstradimin e 28-vjeçarit, në Norvegji.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb